Haradinaj bën homazhe në Reçak: Të rënët për liri nuk harrohen kurrë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në fshatin Reçak të Shtimes, në 27-vjetorin e masakrës që ka ndodhur në këtë fshat.
Pasi ka nderuar të rënët, Haradinaj ka thënë se është përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që janë flijuar për lirinë e Kosovës.
“Kjo masakër ktheu vëmendjen e NATO-s dhe të Amerikës ndaj krimeve serbe që po kryheshin në Kosovë. I jemi mirënjohës UÇK-së dhe gjithë brezave që kanë luftuar për liri, përkulemi përjetë. Përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe Amerikës për ndihmën – ta gëzojmë lirinë”, ka thënë Haradinaj.
Ai po ashtu ka thënë se drejtësia ende nuk është vendosur për masakrat në Kosovë.
“Është e vërtetë se drejtësia ende nuk është vendosur për masakrat në Kosovë, dhe po ashtu është e vërtetë që padrejtësisht vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e UÇK-së, ndërsa nuk gjykohen ata që kanë kryer krime”, ka deklaruar Haradinaj.



