Haradinaj: Hoti e ka marrë me yrysh punën e dialogut, duhet të ndalet

10 nëntor 2020 | 23:09

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti po bën gabim që nuk po e pezullon dialogun me Serbinë në këtë situatë që është vendi, ashtu siç edhe ka kërkuar partia e tij.

“Mendoj që [Avdullah] Hoti e ka gabim që nuk po ndalet. E ka marrë disi me yrysh punën e dialogut. Nuk është që po merr ndonjë shpërblim të madh për Kosovën me këtë logjikë të tij. Ndoshta nuk po ka kohë që të ulet dhe të analizojë pak, por kur presidenti i vendit, nuk ka lidhje a është Hashim Thaçi apo është i ndonjë partie kundërshtare, po gjykohet për krime lufte dhe njëkohësisht një kryetar opozite është në gjykatë, ashtu si edhe kryetari i Grupit Parlamentar të partisë tjetër opozitare dhe një ish-kryetar të Kuvendit, duhet të thuhet ‘stop pak’, sepse është minimum kod etik që të kërkojë më shumë kohë që të analizojë gjendjen dhe të konsultohet me spektrin politik”.

“Unë mendoj që e ka gabim, vërtetë është gabim kjo qasje e tij. Është një lakmi e paparë dhe yrysh që të shkojë në tavolina të dialogut, sepse duhet të marrë frymë në të mirën e vendit vet dhe qytetarëve të vet. Duhet t’i shkruajë liderëve të shteteve relevante, të paktën të shteteve të Kuintit, dhe t’iu thotë ‘A po i jepni diçka Kosovës pas kësaj që po i ndodh dhe po na bëni monstrum ndërkombëtar?’. Është humbje për Kosovë mosveprimi i tillë, pra një indiferencë kaq e madhe nuk shpjegohet”.

Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se këtë gjë nuk ia ka kërkuar drejtpërdrejt kryeministrit Avdullah Hoti, por e ka bërë përmes kolegëve në qeveri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka…