
Haradinaj i bashkohet thirrjes për protestë kundër Speciales: Qëndrojmë në të drejtën e luftës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i është bashkuar thirrjes për protestë të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kundër Gjykatës Speciale në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë ndaj liderëve të UÇK-së.
“Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kërkesat e tyre legjitime dhe të drejta. Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit. Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë ftuar për protestë më 7 gusht, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtina nga ora 17:00.
“Ngrihemi për drejtësi, për të vërtetën, për UÇK-në!”, është thënë në thirrjen e kësaj organizate.
Protesta vjen pasi Gjykata Speciale në Hagë së fundi ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për heqjen e disa pjesëve të aktakuzës ndaj tyre që lidhen me pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.