Haradinaj i gëzuar për rezultatin e AAK: Është një ndjenjë përgjegjësie, i lus kryetarët që të punojnë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kanë rritur votat në nivel nacional dhe se kanë fituar në të gjitha komunat që ka qeverisur deri tani.
Ai para mediave ka përgëzuar kandidatët e komunave ku si parti kanë fituar zgjedhjet.
“Urime të gjithë qytetarëve të vendit, të gjithëve, për zgjedhjet e lira e të mira që kanë ndodhur sot. I falënderoj të gjitha institucionet e vendit për punën që kanë bërë. Po ashtu, i bashkohem festës në Suharekë ku po festojnë kolegët tonë. Qytetarët e Suharekës i përgëzoj për fitoren e tyre. Vërtet kryetari Bali Muharremaj është kryetari më i mirë. I bashkohem festës në Rahovec. Qytetarët e Rahovecit i janë bashkuar kryetarit të tyre, Smajl Latifit. I bashkohem po ashtu festës në Gjakovë. Ardian Gjini e ka arritur fitoren më bindëse të mundshme, ky është një lajm i mirë edhe për Gjakovën sepse vërtet ka bërë një punë të mirë. I bashkohem festës në Klinë, kryetari Zenun Elezi ka fituar bindshëm. Deçani vazhdon me festu, edhe pse në rund të parë. AAK i ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisur me to. Është një rezultat i mirë, jemi të gëzuar. Është një ndjenjë përgjegjësie, i lus kryetarët që të punojnë”, tha ai.
Sipas tij, është konfirmuar një besim i rritur për AAK-në në nivel nacional.
“Kemi marrë për parti 87 mijë e 500 vota, e kemi rritu numrin prezencën tonë, në disa komuna do të qeverisim, në disa tjera do të bashkë qeverisim”, tha ai./KP/



