Haradinaj ia kujton Vuçeviçit se ku e çon diskursi kërcënues që përdori ndaj Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi

21 gusht 2023 | 21:33

Kërcënimi që u bëri Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Milosh Vuçeviç, kur deklaroi se vendimi i tyre për ta njohur Kosovën “do t’i godas kokës” ashtu “siç i ndodhi Ukrainës”, është një gjuhë që për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, është e njohur.

Është e njohur, sepse është gjuha e vjetër e Serbisë, shkroi Haradinaj në Facebook, duke i sugjeruar ta ndalojë “gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”.

Është pikërisht kjo lloj gjuhe, vazhdoi Haradinaj, “që i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”.

Vuçeviç, që tash është edhe lideri i Partisë Progresiste* të Serbisë, pas dorëheqjes së Aleksandër Vuçiç-it, veç atyre që e kanë njohur Kosovën kërcënoi edhe ata që kanë ndërmend ta njohin, por Haradinaj thotë se duhet të ndaloje menjëherë me këtë retorikë, sepse “vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën”.

Sa për Kosovën, lideri i AAK-së, tha se “nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike”, megjithatë sugjeroi se “do të ishte e mençur edhe për Serbinë, që të lëviz nga ‘status quo’ në të cilën gjendet”.

Para Haradinajt, kësaj lloj gjuhe të shprehur nga Vuçeviç i ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai në platformën e ri-emëruar X, kujtoi fillimisht se bëhet fjalë për anëtarë të NATO-s, duke shtuar se “kush cenon stabilitetin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi është i rrezikshëm” e “nuk do të lejoj kënd ta kthejë Ballkanin pas në kohë”.

Ka reaguar, pak më vonë edhe Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Duke e konsideruar aq absurde deklaratën, Osmani ka pohuar se mbetet “në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”.

Duke mos lënë pa shtuar që “ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Keqpërdorimi i ujit si dhe mospagesa e faturave ka detyruar…