
Haradinaj ia merr Limajt ish-deputetin, Enver Hoti nominohet si kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka prezantuar të mërkurën përforcimin më të ri të AAK-së. Ai ka bërë me dije se ish-deputeti i Nismës, Enver Maloku i është bashkuar AAK-së.
Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se Hoti do të jetë edhe kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Malishevës. “Mirë se vjen në Aleancë, Enver Hoti! I njohur për përkushtimin ndaj vendit dhe vlerat e tij atdhetare, Enver Hoti i përket brezit të veprimtarëve të hershëm të angazhuar në çështjet kombëtare. Me një përvojë të pasur institucionale, ai ka shërbyer me profesionalizëm e integritet në çdo përgjegjësi që ka bartur. Aderimi i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është një vlerë e shtuar për vizionin tonë politik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se përvoja e Hotit do t`i shërbejë për mirë AAK-së.
“Enver Hoti gjithashtu do të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Malishevës. Me përvojën, vendosmërinë dhe besimin në vlerat e Aleancës, ai përfaqëson më së miri frymën tonë, për një qeverisje të drejtë dhe transparente. Urime Enver! Paçim sukses dhe fitore të përbashkët në shërbim të Malishevës dhe qytetarëve të saj!”, ka shkruar Haradinaj.