Haradinaj ka pesë kërkesa për Kurtin

01 mars 2022 | 14:35

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke iu referuar zhvillimeve të fundit, sidomos në Ukrainë, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i ndërmarrë disa veprime konkrete.

Haradinaj ka thënë se është koha që të përfundojë strategjia për sigurinë e Kosovës, ndryshimi i ligjit për FSK-në, heqja dorë nga dialogu teknik dhe rishikimi i vendimit për gazsjellësin amerikan.

“Çdo hezitim e vonesë për të vepruar në këtë drejtim, është rrezikim i sigurisë së vendit, për çka do t’iu mbajmë përgjegjës!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Kryeministër, koha është për veprim

1. Përfundojeni Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës

2. Sillni në Kuvend amendamentet e Ligjit të FSK, me nenin për donacione

3. Sillni në Kuvend Projektligjin për fondin për donacione për FSK

4. Rishikojeni vendimin tuaj për projektin e gazsjellësit amerikan dhe miratojeni të njëjtin, pasi që nuk është vetëm projekt ekonomik por edhe i sigurisë

5. Hiq dorë nga dialogu i teknikëve dhe përcaktohu në procesin e marrëveshjes finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues

Çdo hezitim e vonesë për të vepruar në këtë drejtim, është rrezikim i sigurisë së vendit, për çka do t’iu mbajmë përgjegjës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukrainasit kanë dalë përpara konvojit me mjete ushtarake të forcave…