Haradinaj: Kërkesat e BSPK-së do të adresohen në takimin e parë të Qeverisë

01 maj 2018 | 18:07

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur  në takim përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), të kryesuar nga kryetari, Avni Hajdini.

Haradinaj ka vlerësuar angazhimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, si dhe protestën e sotme, të cilën e ka konsideruar si të dinjitetshme dhe në shërbim të realizimit të të drejtave të punëtorëve.

Ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do të jetë partnere e BSPK-së në përmbushjen e kërkesave të saj.

“Në mbledhjen e parë të Qeverisë do të ngritën shqetësimet e shprehura nga ana juaj. Nuk do të rrimë në pritje dhe do të ndërmarrim veprime konkrete në realizimin e kërkesave për të drejtat e punëtorëve në vend”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj duke i siguruar se të gjithë do të kenë trajtim të barabartë, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’i trajtojë me kujdes të veçantë të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Ndërsa kryetari BSPK-së, Avni Hajdini, ka kërkuar mbështetjen e kryeministrit Haradinaj që të respektohen të drejtat e punëtorëve, respektimi i orarit të punës si dhe të mos ketë diskriminim në pagë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke iu kundërpërgjigjur…