Haradinaj: Krijimi i Zonës Ekonomike në Rahovec, lajm i mirë

04 korrik 2018 | 14:02

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se krijimi i Zonës Ekonomike në Komunën e Rahovecit është lajm i mirë për bizneset e kësaj komune, për zhvillimin ekonomik, por edhe për të punësuarit.

I shoqëruar nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, kryeministri Haradinaj, ka vizituar Zonën Ekonomike mbi Opterushë, e cila me vendim të Qeverisë është shpallur zonë e lirë ekonomike, me qëllim që të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të kësaj ane përmes ofrimit të lehtësirave për bizneset të cilat veprimtarinë e tyre do ta zhvillojnë në këtë zonë të lirë ekonomike dhe me mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës.

Haradinaj, gjithashtu ka vizituar edhe palestrën e sportit në Rahovec për të parë nga afër punimet të cilat janë në përfundim e sipër, për ta vazhduar vizitën te vreshtat e dëmtuara nga breshëri, në fshatin Fortesë-Pataqan i Poshtëm, si dhe dëmet që i janë shkaktuar nga breshëri fermerit Ismajl Morina nga fshati Gexhë, në rreth 10 hektarë tokë të mbjellura, derisa në fund të qëndrimit të tij në Rahovec, kryeministri Haradinaj vizitoi përroin në mes fshatrave Krushë e Madhe-Celinë.

“Qeveria e vendit do të përshpejtojë dhënien e subvencioneve që të paktën t’iu dalë në ndihmë fermerëve të kësaj ane dhe banorët e Rahovecit do ta kenë përkrahjen e qeverisë për realizimin e të gjitha projekteve me rëndësi për qytetarët e kësaj Komune”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se është e dhimbshme për gjithë këto dëme të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet dhe se të gjithë duhet të angazhohemi për t’i trajtuar këto probleme dhe këto sfida.

Haradinaj, ka thënë se nga kryetari Latifi ka pranuar raportin i cili përmban të dhënat për dëmet e shkaktuara, që kap shifrën e miliona eurove.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë e mbrojtjes nga breshëri, sepse është vështirë që t’iu dalim përballë dëmeve financiare nëse situata të ngjashme përsëriten nga viti në vit”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj foli edhe për rëndësinë që ka krijimi i zonës ekonomike dhe për përmbylljen e projektit të palestrës sportive.

Kryetari Smajl Latifi, ka falënderuar kryeministrin dhe qeverinë për përkrahjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Komunës për krijimin e Zonës Ekonomike në Rahovec për herë të parë, pas 17 vjetësh kërkesave të vazhdueshme.

Me këtë rast, kryetari Latifi tha se komunës që ai drejton i janë shkaktuar dëme në bujqësi, amvisëri dhe infrastrukturë publike.

“Kërkojmë ndihmën e qeverisë për trajtimin e veçantë të përroit problematik mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Celinë, i cili po kërcënon jetën e banorëve dhe të amvisërisë në këto fshatra”, është shprehur Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra e ka përfunduar aventurën në Kupën e Botës dhe…