Haradinaj: Kurti po i frikësohet përgjegjësisë dhe na çoi në zgjedhje

06 mars 2026 | 23:15

Deputeti nga AAK-ja, Daut Haradinaj, është i ftuari i kësaj jave në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin”. Ai deklaroi se nuk ka pasur asnjë iniciativë serioze nga Lëvizja Vetëvendosje për të gjetur një kandidat konsensual për postin e presidentit.

Sipas tij, kjo parti e ka konsumuar emrin e Vjosa Osmanit duke bërë lojë politike dhe duke hyrë në proces me dy kandidatë të rinj.

Ne po presim datën se kur do të mbahen zgjedhjet. Nuk kishte iniciativë serioze për një kandidat konsensual. Vetëvendosje nuk ishte gati ta mbështeste as Vjosa Osmanin. Ata bënë një lojë duke e konsumuar emrin e saj, duke hyrë me dy kandidatë të rinj, gjë që ishte bërë për ta konsumuar afatin kushtetues dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje. Përshtypja ime është se Kurti po tenton t’i kapë tri pozitat kryesore politike: kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin”, tha fillimisht ai.

Haradinaj theksoi se AAK-ja ka pasur kritika ndaj presidentes Osmani, por vlerëson performancën e saj në muajt e fundit, veçanërisht në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne kemi pasur kritika të mëdha për zonjën Osmani, por në gjashtëmujorin e fundit ajo pati një performancë më elokuente, sidomos në raport me SHBA-të. Ne e kemi përkrahur dhe i kemi dhënë mbështetje, veçanërisht për angazhimin në Bordin e Paqes. Këtu mendoj se pati një thyerje të madhe mes Kurtit dhe Osmanit”, u shpreh ai.

Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron ta mbajë përgjegjësinë historike për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Unë mendoj se Kurti nuk do ta mbajë përgjegjësinë historike për Marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj. Ajo marrëveshje është e përfunduar dhe pritet vetëm zbatimi. Prandaj, Kurti do ta shpërndajë përgjegjësinë. Bindja ime personale është se Kurti e ka arritur pikun e fitores më 28 dhjetor dhe nuk do të ketë numër më të madh votash. Ky nuk është qëllimi i tij. Ai është i mësuar të mbijetojë në turbulenca të tilla”, përfundoi Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federico Valverde shënoi golin e fitores në minutën e 94-të,…