Haradinaj, Kurtit dhe Vetëvendosjes: Ndaluni, jeni duke shkuar në drejtim shumë të rrezikshëm
Lideri Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Albin Kurti dhe Vetëvendosjes të heqin dorë nga synimi kundërkushtetues për të zgjedhur president me vetëm shumicë të kualifikuar.
Ai ka thënë se nëse “hyhet në këto rrugë të rrezikshme” opozita do t’i drejtohet sovranit, përkatësisht qytetarit, sipas tij” mund të ketë përshkallëzime të nevojshme”.
“Dje kanë bërë shkelje kushtetuese. Është e ngjashme me suprimimin e Kushtetutës. Është ngjarje shumë e rrezikshme dhe drejtim i rrezikshëm dhe i bëjë thirrje që më të vërtetë të ndalen. Nëse shkojmë këtë rrugë të rrezikshme nuk na lënë rrugë tjetër që t’u drejtohemi sovranit dhe të mobilizohemi në mbrojtje të Kushtetutës. Sovrani e ka bërë këtë edhe më herët. Ose përmes protestave ose përshkallëzimeve që i konsideron të nevojshme. Po u bëj thirrje në ndërgjegje të mos e bëjnë”.
“Edhe zonjave po u bëj thirrje edhe të gjithëve që kanë logjikë, të ndalen dhe të mos vazhdojnë pjesë e këtij turpi. Shkelja e Kushtetutës në këtë mënyrë i mbulon turpi, edhe përjetë, edhe s’ka lidhje kush janë e çka kanë bë deri në këtë moment. Nëse bëhen pjesë e këtij dhunimi dhe rreziku, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëjnë pjesë”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për medie në hollin e Kuvendit të Kosovës.



