Haradinaj, Kurtit: Dikush ish dashtë të shkojë në burg, po dëshiron t’i kthesh qytetarët në skllevër
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e kupton se si qeveria Kurti e konsideron sukses faktin që e ka rritur buxhetin dhe s’ka bërë investime kapitale.
Haradinaj ka thënë se për shkak të mos investimeve dikush “ish dashtë me shkuar në burg”.
“Ju siguroj se dikush ish dashtë me shkuar në burg që dikush e ka mbajtur peng paranë e Kosovës dhe nuk e ka çuar të qytetari. Njëra nga arsyet pse e kemi gjendjen pa shpresë në vend është ndërprerja e krejt investimeve kapitale”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës ku është duke u diskutuar për punën dyvjeçare të qeverisë Kurti.
Haradinaj ka thënë se ka dy vjet që “kryeministri ynë nuk e ka fut një cent në projekte kapitale”.
“Unë mendoj që ti e ke një strategji perfide, sa i përket buxhetit. Ti po do me i lodhë njerëzit, po do me i lodhë komunat, kryetarët e komunave, sipërmarrësit, po do me i lodhë qytetarët, me i kthyer në skllevër, që ata me u varë prej teje kur po ua jep një lëmoshë”, ka thënë Haradinaj, duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti.
“Kjo është logjika jote. S’ka shpjegim tjetër”, ka thënë Haradinaj.



