Haradinaj mbledh strukturat e partisë në Gjakovë: Me Aleancën, Kosova i kthehet rrugës për anëtarësim në NATO

22 prill 2024 | 21:34

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar.

Haradinaj ka thënë se AAK i ka ofruar Gjakovës qeverisjen shembullore.

“Për disa mandate me radhë, Aleanca qytetit të Gjakovës po i ofron qeverisjen shembullore. Kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit që i bëhet nga niveli qendror”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se qeveria e Kosovës ka dështuar në tema të mëdha.

“Sot, në mbledhje të përbashkët të kryesisë qendrore me struktura të Aleancës në Gjakovë, folëm për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për koordinimin e aktiviteteve  të përbashkëta. Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan e qytetarin e ka bërë më të varfër”, është shprehur Haradinaj.

Sipas tij, AAK me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar.

“Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke e ka larguar vendin nga rruga e saj euro-atlantike dhe synimi ynë madhor, anëtarësimi në NATO. Por ne do e ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas “dështimit” të votimeve të ditës së djeshme në katër…