
Haradinaj në Deçan: Përkulemi me mirënjohje për dëshmorët dhe martirët
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të premten dëshmorët dhe martirët e Deçanit, në Ditën e përkujtimit të tyre.
Ai ka theksuar se Deçani, në kohët më të rënda, ka ditur të ngrihej në ballë të proceseve për lirinë e vendit, duke i dalë zot Atdheut me bijtë më të mirë.
“Në ballë të shumë proceseve të rëndësishme për lirinë e atdheut, Deçani diti të ngrihej në kohët më të rënda, duke i dalë zot Atdheut me bijtë e vet më të mirë. Sot, në ditën e përkujtimit të Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, përulemi para sakrificës, me mirënjohje e falënderim të përjetshëm. Në përvjetorin e rënies kujtojmë me pietet veprimtarin e çështjes kombëtare dhe prijësin e ‘Çetës së Llapit’, heroin Ali Ajeti. Po në këtë ditë, në vitin 1999, luftëtarët e dalluar të UÇK-së, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, u flijuan vetëm pak javë para fitores dhe çlirimit. Liria do të jetojë, deri sa të kujtohen ata që vendosën themelet e saj”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.