
Haradinaj në takim me KDI-në: Bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e KDI-së, të kryesuar nga Ismet Kryeziu.
Haradinaj ka thënë se KDI-ja është një zë i artikuluar dhe i qëndrueshëm në të gjitha proceset politike në vend, sikurse tani edhe në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, me bllokadën institucionale që po e mban vendin peng.
“Sot, në takim me përfaqësuesit e KDI-së, të kryesuar nga z. Ismet Kryeziu, e rikonfirmova qëndrimin e Aleancës për të ofruar zgjidhje dhe për të ndihmuar daljen nga kjo gjendje e papranueshme. Kjo është arsyeja pse ne kemi dalë me propozime konkrete të emrave, që mund të jenë figura konsensuale, të cilat do të mund të merrnin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit. Në këtë frymë, Aleanca i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, për interpretimin e nevojshëm kushtetues, si instrument që mundëson zhbllokimin institucional dhe kthimin e Kuvendit në funksionalitet të plotë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme dhe po i kushton vendit me pasoja të mëdha, politike, institucionale dhe ekonomike. “Aleanca mbetet e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes”, ka shkruar Haradinaj.