
Haradinaj përkujton betejën e Morinës: Rënia e dëshmorëve u bë frymëzim për mijëra të rinj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot Betejën e Morinës, e cila më 7 korrik 1998 ka shënuar një kapitull të ri në luftën çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit.
Në përvjetorin e kësaj beteje, Haradinaj së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë ka bërë homazhe për të nderuar ata që kanë rënë në këtë përballje me forcat armike: Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli.
“Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Në këtë përvjetor është nderuar edhe kujtimi për dëshmorin Agim Mazrekaj, të cilin Haradinaj e përshkroi si luftëtar të vendosur dhe të gatshëm për çdo betejë.
“Trimëria e Agimit do të kujtohet ndër breza”, ka theksuar ai, duke shtuar se homazhe janë bërë edhe në Voksh të Deçanit, pranë lapidarit të dëshmorit Xhevat Nitaj.