Haradinaj përkujton të rënët në masakrat në Pejë: Krimet e Serbisë nuk harrohen, drejtësia duhet të vihet në vend

14 maj 2025 | 11:59

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët në masakrat e kryera nga forcat serbe në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, ku 102 civilë shqiptarë të paarmatosur ishin ekzekutuar në mënyrë barbare.

Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se këto krime ishin hakmarrje e Serbisë për humbjet që po pësonte në frontet e luftës dhe dëshmi e çmimit të lartë që populli shqiptar ka paguar për lirinë dhe shtetin që gëzon sot.

“Sot, në përvjetorin e këtyre masakrave, kemi kujtuar e nderuar me pietet edhe eprorët dhe luftëtarët e rënë të kësaj ane, që ranë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skënder Çeku nga Qyshku, Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani. Ngjarje të tilla të dhimbshme dëshmojnë për rrugën e gjatë dhe me plot sakrifica drejt lirisë, por edhe për plagët që ende nuk janë shëruar. Kosova është e mbushur me varre të civilëve të ekzekutuar nga shteti serb në përpjekje për spastrim etnik dhe shumë prej këtyre varreve vazhdojnë të jenë të zbrazëta. Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen. Drejtësia për viktimat duhet të vihet në vend! I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mali i Zi dhe Ukraina kanë harmonizuar tekstin e një…