Haradinaj: Propozimi i Kurtit për president është lojë për ta çuar vendin në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti që opozita të propozojë kandidat për president, duke e cilësuar atë si jo serioz dhe pjesë të një strategjie për ta çuar vendin në zgjedhje.
Haradinaj tha se ofertat e tilla nuk janë të besueshme dhe nuk zbatohen në praktikë.
“Është një lojë realisht. Është një lojë me qytetarët, me shtetin e nuk janë, këtë oferta kredibile, sa askush nuk e beson, se këto që i thotë ai s’zbatohen. Ai po i thotë vetëm për një lloj alibie, me i mbulu fajin e tij, për faktin që po dërgon vendin në zgjedhje”, tha ai.
Ai theksoi se situata aktuale po zhvillohet në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar qasjen e Kurtit si ultimatum dhe jo serioze.
Haradinaj bëri të qartë se nuk do të jetë kandidat për president.
“Jo, nuk jam kandidat”, tha ai. /EO



