
Haradinaj: Qytetarët do të paguajnë faturën që u vjen në derë, por edhe subvencionin e qeverisë
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Koosvës Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është duke i mashtruar qytetarët e Kosovës sa i përket subvencionimit me energji elektrike.
Ai ka thënë se qytetarët pos që do ta paguajnë rrymën që i’u shkon tek dera e shtëpisë, do ta paguajmë edhe pjesën e subvencionimit të energjisë nga Qeveria Kurti.
“MASHTRIMET ME SHTRENJTIMIN E RRYMËS. Nuk iu desh shumë që fshehja e llogaritjes së subvencionit të dilte në pah. Rritja e çmimit real të energjisë elektrike u fsheh në llogaritarin e ZRRE-së, por që nuk zgjati shumë. Duhet ta kenë të qartë qytetarët se do të paguajnë edhe faturën që iu vjen në derë, por do të paguajnë edhe subvencionin e Qeverisë, pasi paguhet nga taksat tona. Albin Kurti nuk po e paguan diferencën me paratë e veta, por me paratë e qytetarëve. Mos harroni se ky subvencionim do të hiqet në Dhjetor 2022, e tarifat do të mbeten edhe më tej”, ka shkruar Haradinaj në profilin e vet në “Facebook”, me ç’rast ka bashkangjitur dhe këtë grafikon.
Ai më tutje ka thënë se çdo tentim për të na mashtruar është djallëzor dhe i ulët!. “Qytetarë, është koha që të tregojmë se nuk mashtrohemi. Çdo tentim për të na mashtruar është djallëzor, është i ulët!. Në këtë tabelë mund të shihni çmimet që do ju vijnë në faturë, por edhe çmimin real, ku diferenca paguhet nga ju, konkretisht nga taksat tuaja”, u shpreh ai.