Haradinaj: Rajoni i Hasit ishte gjithmonë aty ku shkruhej historia
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përkujtoi sot dëshmorët dhe martirët e Lugishtes së Hasit, duke e cilësuar këtë trevë si një ndër simbolet më të forta të rezistencës shqiptare ndër shekuj.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka theksuar se rajoni i Hasit ka qenë historikisht vend ku është shkruar historia e qëndresës, ndërsa kontributi i tij kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Brigadës 126, e cila ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.
“Sot, në Lugishtë të Hasit, së bashku me Shejh Xhemajliun, familjarë dhe bashkëluftëtarë, nderuam me respekt të thellë heroizmin e 14 dëshmorëve dhe kujtimin e 40 martirëve”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kujtuar se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me forcat armike, duke i dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa si hakmarrje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror të egër mbi civilët.
“U ekzekutuan mizorisht mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj. Vendi dhe njerëzit e përzgjedhur nuk ishin rastësi. Aty u godit me qëllim, për të thyer shpirtin e rezistencës. Sot e asaj dite, autorët e kësaj masakre ende nuk janë vënë para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Në këtë përvjetor, Haradinaj ka përkujtuar edhe figura dhe ngjarje të tjera të dhimbshme të luftës. Ai ka përmendur 11-vjetorin e ndarjes nga jeta të Safet Gashit, të cilin e ka cilësuar si mësues që ishte shndërruar në strateg lufte dhe udhëhoqi Brigadën 126 në beteja të lavdishme.
Po ashtu, ai ka përkujtuar masakrën e Llashticës së Gjilanit në 27-vjetorin e saj, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë prillit të vitit 1999.
Haradinaj ka rikujtuar edhe krimet e kryera në disa zona të tjera të Kosovës gjatë të njëjtës periudhë, përfshirë vrasjet në Studenicë të Istogut, ku u ekzekutuan 9 shqiptarë, tetë nga familja Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj – si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku u vranë shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha.
Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka theksuar se sakrifica e të rënëve për liri mbetet udhërrëfyes për të ardhmen.
“Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj.



