Haradinaj-Stublla kërkon përkrahjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave

03 nëntor 2020 | 14:11

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka takuar sot në Berlin ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Ajo gjatë këtij takimi ka thënë se Berlini mbetet kryeqyteti ynë kryesor Evropian dhe shtet aleat për Kosovën dhe popullin e saj, raporton “Epoka e re”.

“Marrëdhënia e fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, dhe paqes së qëndrueshme. I shpreha ministrit Maas mirënjohjen e thellë për ndihmën e Qeverisë gjermane dhënë Kosovës gjatë pandemisë, dhe përkrahjen palëkundur për vendosjen në agjendë të liberalizimit të vizave gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të BE”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Ajo ka treguar se në këtë takim kanë diskutuar mbi gjendjen e shkëlqyeshme të marrëdhënieve dypalëshe dhe u dakorduam për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët politik e ekonomik. “Po ashtu edhe në përfundimin e njohjes së patentshoferëve”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Ajo ka theksuar se ministri Maas ka shprehur vendosmërinë që roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi të vazhdojë të jetë aktiv dhe mbështetës në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nënvizova nevojën urgjente të definimit të dialogut në tri elemente kyçe: kohëzgjatjen, parimet, dhe objektiven finale e cila domosdoshëm duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka deklaruar ministrja Haradinaj-Stublla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Në 100-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vdekjes së…