
Haradinaj-Stublla: Kosova ulet përballë Serbisë me parime të panegociueshme
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë me dije se sot në Uashington DC, po nisin një ditë të rëndësishme për Kosovën.
“Rolin aktiv amerikan në dialog e kemi kërkuar shumë gjatë. Sot delegacioni i Kosovës që hyn në Shtëpinë e Bardhë ka mandat dhe mirëbesim të dialogojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran përballë Serbisë, e cila do të duhej të ndihet e turpëruar që ulet në tavolinë përballë Kosovës në disavantazh, pa kërkuar falje për krimet gjenocidale, dhe pa vënë para drejtësisë kriminelët e luftës”, ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” Haradinaj-Stublla.
Ajo ka theksuar se sot delegacioni i Kosovës ulet përballë Serbisë me këto parime të panegociueshme: ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, me objektivin e vetëm për njohje reciproke me Serbinë.
“Çdo gjë tjetër jashtë kësaj kornize parimesh, është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe nuk besoj se kemi rrezik për t’u shqetësuar. Përkundrazi: të gëzohemi sot, dhe të lirojmë frymën e mbajtur brenda nesh deri tash. Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë dhe pa pengesa. Jemi këtu sepse Kosova nuk u zbraps kur ishte vështirë, dhe qëndroi e palëkundur në të drejtën e saj”, ka shkruar ministrja Haradinaj-Stublla.
(M.K / Epoka e re)