Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, tha se hyrja ilegale në Kosovë e disa produkteve farmaceutike nga Serbia “përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”.
Këto marrëveshje, Kosova dhe Serbia i kanë arritur në vitin 2015 në kuadër të dialogut teknik.
	        
			
		
“Serbia dhe zyrtarë të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme, kanë rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës dhe, rrjedhimisht, kanë nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Reagimi vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
Postimi i plotë:
	        
			
		
TË SANKSIONOHEN SHKELJET E SERBISË
 
Ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të paverifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik.
 
Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Washington, ashtu edhe në Bruksel.
 
Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë. Gjithashtu pres nga Brukseli dhe Washingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.