
Haradinaj-Stublla uron Bujar Osmanin për emërimin si ministër i Punëve të Jashtme
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shprehur urime të përzemërta për homologun e ri nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, me rastin e emërimit të tij në postin e ministrit të jashtëm të këtij shteti.
“Urimet më të përzemërta për homologun e ri nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani.
Kënaqësia është edhe më e madhe, në këtë moment historik, kur një shqiptar emërohet për herë të parë Ministër i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut. Kam besimin e madh se tre ministra të Jashtëm shqiptarë në rajon, do bëhemi forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, dhe zë i fuqishëm i të vërtetës së shqiptarëve ndër shekuj. Pres me padurim të fillojmë bashkëpunimin tonë dhe të avancojmë vizionin e përbashkët Euro-Atlantik”, ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” Haradinaj-Stublla.
(Q.R / Epoka e re)