Haradinaj: Vendimi i Kushtetueses hap rrugën për dalje nga ngërçi institucional

26 qershor 2025 | 22:42

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pranueshme kërkesën e dorëzuar nga partia e tij, lidhur me kushtetutshmërinë e veprimeve të Kuvendit për votimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se qëllimi i kërkesës nuk ka qenë përfitimi politik, por ofrimi i një zgjidhjeje për situatën e pazakontë të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike. Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se: “Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka deklaruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së…