Haradinaj viziton Fadil Fazliun pas lirimit nga Specialja
“Familja Fazliu ishte në shërbim të atdheut në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri. Vëllai i dy Heronjve, Fadil Fazliu, kaloi edhe një sfidë të padrejtë, që i ndodhi atij sikurse bashkëluftëtarëve që gjenden ende në Hagë: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala”, kështu ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas vizitës që i bëri sot veprimtarit Fadil Fazliut.
“Pas kthimit të tij në familje, pata nderin ta vizitoj Fadil Fazliun, për t’i shprehur respektin për qëndrueshmërinë e tij dhe për sakrificën e familjes Fazliu ndër breza. I gëzohemi kthimit në atdhe e po ashtu të Gjeneral Haxhi Shalës, Bashkim Smakajt, Nasim Haradinajt, Isni Kilajt dhe Hysni Ngucatit”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se presin lirimin e të gjithëve, që t’u bashkohen familjeve të tyre dhe të korrigjohet kjo padrejtësi.
“Më 17 shkurt, në ora 14:00, bashkohemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare”, është shprehur Haradinaj.



