
Haradinaj viziton Mustafë Selmanajn në QKUK: Mustafën e kemi shenjë të familjes sonë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) bashkëluftëtarin e tij, Mustafë Selmanajn, i cili po trajtohet pas një komplikimi shëndetësor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka thënë se Selmanajn e konsideron pjesë të familjes së tij dhe ka shprehur besimin se ai do të rikthehet shpejt. “Sot vizitova në QKUK mikun tim të çmuar, të cilin e kemi shenjë të familjes sonë, Mustafë Selmanajn, pas një komplikimi shëndetësor. Pashë tek ai forcën dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar gjithë jetën, më i fortë se kurrë dhe i gatshëm për t’u rikthyer shpejt,” ka shkruar Haradinaj. Ai ka rikujtuar edhe kontributin e Selmanajt gjatë luftës, ku kishte shërbyer si Komandant i Logjistikës në Zonën e Dukagjinit. “Mustafa ishte në ballë në përpjekjet për liri dhe ishim bashkë në beteja gjatë luftës, ku ai kreu me nder detyrën e tij ndaj atdheut. I uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë në mesin tonë, aty ku gjithmonë ka dhënë shembull me përkushtim e vepra,” ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.