Haradinaj, zëvendëspresidentit të PE-së: Kosova është gati për vizat

10 maj 2018 | 14:11

Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe të integrimeve euroatlantike. Qytetarët tanë meritojnë të jenë të barabartë dhe të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe ne po presim që sa më shpejtë të marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave.

Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, ambasadorin Christian Heldt dhe shefin e zyrës së “Konrad Adenauer” në Kosovë, Johanes Rey.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, me përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve të saj për agjendën evropiane, për të arriturat në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike, në avancimin e raporteve për fqinjësi të mirë, të arriturat në zhvillimin ekonomik, e po ashtu edhe për nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë.

“Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne presim mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces, i cili është jetik për qytetarët tanë”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje Haradinaj ka theksuar edhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke i forcuar marrëdhëniet bilaterale me këtë vend.

“Kosova është partneri ideal i Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi resurset e nevojshme, të përshtatshme për investitorët gjerman dhe tani është koha që të shohim projekte konkrete në këtë drejtim”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur në takim edhe rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit dhe tani Kosova është një realitet tjetër, nga i cili nuk mund të kenë probleme vendet e BE-së.

Ndërsa, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe gatishmërinë e bashkëpunimit për projekte specifike nga fusha e edukimit në programet e BE-së dhe Qeverisë gjermane, duke shprehur mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe përafrimin e vendit me agjendën evropiane.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari nga komuna e Burimit, Kreshnik Berisha, ka lansuar këngën…