
Harry Kane është temë e nxehtë te Bayerni, e ardhmja e anglezit është e paqartë
E ardhmja e Harry Kane te Bayern Munich mbetet e paqartë, pavarësisht se sulmuesi anglez ka bërë përshtypje me shifrat e tij që nga transferimi rekord në verën e vitit 2023.
Çështja e zgjatjes së kontratës së 32-vjeçarit po hap gjithnjë e më shumë debat te kampionët e Gjermanisë.
Sipas gazetarit gjerman Christian Falk, situata e Kane është “një temë e madhe” brenda klubit bavarez. Ai ka një klauzolë lirimi që do të duhej ta aktivizonte në dimrin e ardhshëm nëse dëshiron të rikthehet në Ligën Premier gjatë verës. Në atë moment, sulmuesit do t’i mbetej vetëm një vit kontratë me Bayernin.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Bayernit theksojnë “mentalitetin fitues” të Kane dhe e shohin Ligën e Kampionëve si argumentin kryesor për ta bindur që të vazhdojë aventurën në Gjermani.
Megjithatë, Anglia vazhdon ta joshë me objektivin historik: thyerjen e rekordit të golave në Ligën Premier të vendosur nga Alan Shearer.
Tottenham mbetet opsioni më romantik për një rikthim, por edhe klubet e mëdha si Manchester City, Liverpool dhe Arsenal mund të futen në garë nëse Kane vendos të kthehet në Angli.
Përfundimisht, e ardhmja e tij duhet të qartësohet jo më vonë se pas Kupës së Botës 2026, mes qëndrimit në Bayern me një kontratë të re apo rikthimit në Angli për të ndjekur rekordin e Shearer.