Hartohet model-rregullorja komunale për masat teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale
Në kuadër të aktiviteteve të Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, u mbajt një punëtori treditore me pjesëmarrjen e zyrtarëve ligjorë nga Komunat e Kosovës.
Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte hartimi i një Model-Rregulloreje për Masat Teknike dhe Organizative për Sigurinë e të Dhënave Personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Punëtoria u hap nga Kryesuesi i Kolegjiumit, Bajrush Laçi e ku pjesëmarrës ishin shumica e zyrtarëve ligjor të komunave të cilët analizuan dispozitat ligjore relevante, praktikat institucionale dhe nevojat specifike të pushtetit lokal për të garantuar sigurinë, integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave personale që përpunohen nga komunat.
Hartimi i model-Reregullores u realizua me angazhimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve ligjor të komunave, si kryesues i grupit punues, Avni Bytyqi, të cilët kontribuuan me ekspertizën dhe përvojën e tyre profesionale, duke siguruar që dokumenti të jetë praktik, i zbatueshëm dhe në përputhje me kërkesat ligjore.
Po ashtu kontribut mjaft të çmuar dhanë edhe dy përfaqësues nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, Kushtrim Mustafa dhe Valmire Sahiti.
Duke qenë se Komunat kanë obligim ligjor për nxjerrjen e një rregulloreje të tillë, dokumenti i hartuar nga Kolegjiumi do t’u shpërndahet të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, me qëllim që të shërbejë si model dhe bazë për miratimin e akteve përkatëse komunale.
Punëtoria përfundoi me dakordimin e pjesëmarrësve për rëndësinë e harmonizimit të praktikave komunale në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e standardeve ligjore në këtë fushë



