HASAN PRISHTINA E KA VENDIN ATY KU BASHKOHET KUFIRI DHE IDETË E KOMBIT SHQIPTAR

15 gusht 2018 | 16:55

Mehmet PRISHTINA

(Reagim përkitazi me iniciativën e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, për zhvendosjen e eshtrave të Hasan Prishtinës nga Kukësi në Prishtinë)

Në 85-vjetorin e vrasjes së patriotit shqiptar, udhëheqësit të kryengritjeve për liri, diplomatit të shquar e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan Prishtina, liderët e institucioneve të Kosovës do të duhej të angazhoheshin që hapësira tek varri i Hasan Prishtinës në Kukës, në qytetin kufi në mes të Shqipërisë së ndarë, të rregullohej e të ndërtohet edhe muzeu i madh i bashkimit kombëtar.

Ata duhen që bashkë me institucionet e shtetit shqiptar të kujdeseshin që në Vlorën e pavarësisë, krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e të tjerëve patriotë, të vendoset edhe Hasan Prishtina në sheshin e flamurit, siç u vendos në Prishtinë e më vonë edhe në Shkup e Tiranë dhe, përfundimisht, në qytetin shqiptar në Kukës të derdhet në bronz shtati i shenjtë e i shtrenjtë i Hasan Prishtinës, pasi aty afër e ka edhe varrin, e jo të tallen në “Facebook” për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë.

Hasan Prishtina mbetet një ndër të rrallët patriot shqiptar që me veprën dhe të kaluarën e vet vazhdon t’i bashkojë edhe sot shqiptarët, përtej bindjeve politike, ideologjike, fisnore e inatçore të popullit tonë, prandaj çdo nismë për t’ia lëvizur eshtrat atij, është vetëm thellim i ndarjes së shqiptarëve dhe mosrespekt e mosnderim ndaj figurës dhe doktrinës së tij hasaniste.

Hasan Prishtina është i Shkupit, i Tiranës, i Prishtinës, i Plavës e Gucisë, i Shkodrës e i Vlorës, i Prevezës, i Manastirit, i Ohrit e i Tetovës, i Preshevës e i Pazarit të Ri. Ai është i gjithë neve që Shqipërinë e plotë e ndiejmë në mendje dhe zemër. Por, ashtu siç luftoi Hasan Prishtina për t’i rrëzuar muret ndarëse midis shqiptarëve, edhe unë bashkë me familjen e madhe, me shumë miq e shokë nga të gjitha anët e botës, kërkojmë të mos lëvizet nga varrezat e dëshmorëve të atdheut që prehet në qytetin e Kukësit!

(Autori është përfaqësues i familjes së Hasan Prishtinës. Prishtinë, 15 gusht 2018)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Zelandës së Re ka ndaluar shitjen e shtëpive…