Hasani: Clarku tregoi absurditetin e Speciales, tha se kjo gjykatë u krijua nga një rend tjetër ndërkombëtar (video)

21 nëntor 2025 | 14:37

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është një absurd që i ka ndodhur Republikës së Kosovës.

Ai ka bërë me dije se këtë absurditet e tregoi edhe ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark në dëshminë e tij në Hagë.

Në një intervistë për emisionin “Contex”, Hasani ka treguar pse dëshmia e gjeneralit amerikan ishte më e rëndësishme së të tjerat.

Sipas tij, Clark tregoi që kjo gjykatë i ishte imponuar Kosovës nga një rend tjetër ndërkombëtar.

“Ajo që e dëshmoi Clarku, për dallim nga të tjerët, ai e tha se formimi i gjykatës është bërë në një kohë kur ka pasur një rend tjetër ndërkombëtar, ai rend e ka pasur garant edhe Rusinë. Tash Rusia është pjesë e problemit. Gjykata Speciale nga administrata Obama dhe Biden është formuar me e qetësuar Rusinë, për mendimin tim me shpresë naive”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjenerali Clark e ka treguar absurditetin e kësaj gjykate.

Hasani ka vlerësuar së më mirë që kjo gjykatë është formuar nga institucionet e Kosovës.

“Clarku e tregoi këtë që ajo kohë ka mbaruar dhe Rusia më nuk është partner. Prandaj, në këtë kuptim, më mirë që është formuar ashtu siç është formuar, sepse po të ishte nga OKB-ja t`i e kishe pas sikur UNIKUN që nuk mundesh me e heq pa një koncesion. Prandaj, në këtë kuptim ai (Clarku) e tregoi absurditetin e kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i bindur që akuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rrezohet.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë provë për ta mbështetin akuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Për aq sa kanë qenë publike dëshmia e organit të akuzës, ata nuk besoj se kanë një dëshmi ose dy të vetme që e provojnë akuzën. Sepse ‘ndërmarrja përbashkët kriminale’ duhet me ekzistuar në tri forma e saj pa ndërprerë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo do të jetë shumë e vështirë të provohet.

Hasani ka bërë me dije se pjesa e kryesore e kësaj akuza tashmë ka rënë.

Ai ka vlerësuar së dëshmitë e ish-diplomatëve amerikan dhe të gjeneralit Clark ishin të fuqishme.

“Kjo pjesa e ndërmarrjes së përbashkët kriminale ka rënë. Nuk mundem me e imagjinuar që gjykata mund t`i kaloj lehtë këto dëshmi”, ka thënë ai Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e…