Hasani: Kurti ka uzurpuar postet në ekzekutiv, pas vendimit të Supremes mund të ketë pasoja penale

18 korrik 2025 | 14:12

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë, kanë uzurpuar pozitat ekzekutive. Kështu ka vlerësuar profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, i cili në të kaluarën ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, një gjë e tillë konfirmohet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të cilin e ka vlerësuar si profesional dhe detyrimisht të zbatueshëm, pasi i njëjti sipas tij nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese nga ekzekutivi në detyrë.

Gjykata Supreme, më 15 korrik, ka marrë vendim se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë është e kundërligjshme, pasi shkelen dispozitat kushtetuese.

Hasani, ka thënë se çdo mospërfillje e aktgjykimit të Supremes mund të përbëjë shkelje penale për ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. “Supremja nuk e ka interpretuar Kushtetutën, por vetëm e ka zbatuar atë, ashtu siç e detyron Kushtetuta”, ka thënë Hasani për “Kosovapress”.

Qeveria në detyrë ka reaguar kundër vendimit të Supremes, duke e konsideruar atë arbitrar dhe të njëanshëm, madje kanë paralajmëruar edhe dërgimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, profesori Hasanika thënë se qeveria nuk ka të drejtë të dërgojë vendimet e Gjykatës Supreme në Kushtetuese. Sipas tij, aktgjykimi i Supremes është detyrimisht i zbatueshëm dhe nuk mund të ankimohet.

Ai ka ngre dyshime nëse ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë, do ta zbatojnë aktgjykimin e Supremes. Por, sipas tij, moszbatimi i vendimit mund të ketë pasoja penale dhe prokuroria duhet të jetë vigjilente në këtë drejtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka…