
Hasani: Kushtetuesja mund t’i ndryshojë rrethanat
As tre muaj pas zgjedhjes s’është arritur konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kjo për shkak të këmbënguljes së Vetëvendosjes në Albulena Haxhiun si kryeparlamentare dhe refuzimit të opozitës për ta mbështetur këtë propozim. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për gazetën “Express” e ka cilësuar si papjekuri politike ngërçin e krijuar në Kuvend.
Hasani ka thënë se arsyeja kryesore e bllokimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë “lidhet me implementimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në territorin e Kosovës”, për të cilën ka thënë se “është pranuar lirshëm nga kryeministri Albin Kurti në Ohër”.
Ndërsa sa i përket nisjes së konsultimeve nga Osmani me liderët politikë, Hasani ka thënë se roli i presidentes nuk lidhet me procesin e krijimit të institucioneve, por me garantimin dhe përkujdesjen për funksionimin normal të tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, pas konstituimit.
Ai ka shtuar se ka bazë ligjore lënda që AAK-ja me mbështetjen e PDK-së e LDK-së dërgoi në Kushtetuese për çështjen e votimit të fshehtë.
“Në çfarë drejtimi do ta formësojë ajo kuadrin kushtetues, brenda të cilit pastaj palët do të jenë të detyruara të sillen dhe të veprojnë, këtë nuk mund ta them”, ka thënë Hasani.