Hasani: Kushtetuesja nuk e rrëzon krejt draftin e Asociacionit, por vetëm e korrigjon

18 prill 2024 | 12:36

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës që “do të përmbushet pasi që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

Me dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese, Hasani dyshon se kjo e fundit mund ta rrëzojë krejt, por ka thënë se vetëm do ta korrigjojë.

“Jam i sigurt se Gjykata Kushtetuese do të bëjë disa korrigjime, por dyshoj shumë se do ta anulojnë draft-statutin e Asociacionit, kemi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 që konfirmon se ky subjekt duhet të formohet”, ka thënë Hasani në këtë intervistë.

Ai ka thënë se ka qenë e pritshme kalimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare si hap drejt Këshillit të Evropës.

“Po, pak a shumë po, ka qenë raporti i zonjës Bakojani dhe udhëzimet dhe rekomandimet e juristëve të shquar të Këshillit të Evropës dhe në ato raporte dhe rekomandime nuk ka ndryshuar asgjë. Jo vetëm për mua, këtu në Kosovë ishte e pritshme”, ka thënë Hasani.

Ai ka ripërsëritur edhe një herë se nga e gjithë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, janë dy çështje kryesore si detyrime për të dyja palët: për Serbinë çështja e të pagjeturve dhe për Kosovën – Asociacioni.

“Nga pala serbe është çështja e personave të pagjetur dhe qëndrimi i palës serbe është pak më mbrojtës sa i përket përfaqësimit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga ana e Kosovës është obligim formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Këto janë gjërat më të diskutueshme që janë të hapura. Ka edhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me targat, rrymën, valutën serbe dhe Bankën Qendrore të Kosovës, etj… Në fakt, bëhet fjalë për zbatimin e draft-statutit të Asociacionit, i cili është hartuar nga bashkësia evropiane”, ka thënë Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, ka kërkuar më shumë…