Hasani: Kushtetuta nuk thotë që kryeparlamentari duhet të zgjidhet me votë të fshehtë

08 maj 2025 | 11:07

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se mënyra e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të ndryshohet në proces.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh që kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votë të fshehtë.

Hasani, i cili e ka shkruar aktgjykimin e Kushtetueses të vitit 2014, ka treguar se as ky dokument askund nuk thotë që kryeparlamentari duhet të gjedhet me votë të fshehtë.

“Kur flitet për mënyrën e votimit në kuvend, Gjykata Kushtetuese ka treguar se cilat janë mënyrat e votimit sipas rregullores atëherë dhe kësaj sot. Pra, nuk ka thanë që kështu me votë të fshehtë duhet të zgjedhja e kryetarit, sepse nuk ka mundur ta thotë, sepse një gjë e tillë përcaktohet me Kushtetutë, me ligj dhe me Rregullore të Kuvendit. Një gjë të tillë nuk e thotë Kushtetutë e Kosovës, e thotë për zgjedhje të presidentit. Ka mund ta thotë siç e thonë disa kushtetuta evropiane që thonë behët me votim të fshehtë, por nuk e ka thënë”, ka treguar Hasani, duke shtuar se votimi i fshehtë ka munduar të caktohet vetëm në takimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive që kanë fituar ulëse në kuvend.

“Ajo ka mund të vendoste eventualisht më 8 prill kur është caktuar agjendë për mbledhjen konstituive. Atëherë, forcat politike kanë mundu të thonë se votimi do të jetë i fshehtë, por tani nuk mund të ndërrohet ajo. Kjo është tërësisht kaotike, tërësisht jokushtetuese dhe tërësisht kundër sundimit parlamentar të ligjit”, ka thënë Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka…