
Hasani për ngërçin politik: LV-ja e ka fajin e vetëm, votimi i fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën
Kur po mbushen katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka konstituuar institucionet e saj. Pasi deputetët janë betuar, një nga dy pikat e vetme të kaluara nga rendi i ditës, ngërçi ka mbetur tek zgjedhja e kryeparlamentarit të ri. Për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, zgjidhja është e thjeshtë, të veprohet si në të kaluarën.
“Duhet të veprohet siç është vepruar në të kaluarën. Të kërkohet koalicion dhe kompromis në mes të partive politike”, ka thënë për “Tvklan.al”.
Sipas Hasanit, partia fituese e zgjedhjeve, pra Lëvizja Vetëvendosje ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë ngërç. Kur është bërë e ditur që partia me më shumë deputetë nuk mund ta formojë vetë ekzekutivin, sipas Hasanit, ajo duhet të ndërtojë aleanca.
“Partia fituese relative e zgjedhjeve, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë stagnim. Ajo duhet të prijë në kërkim të aleancave politike për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë. Më lejoni të them që asnjëherë, në asnjë vend evropian, nuk ka ndodhur ngërç ose problem rreth konstituimit të organit legjislativ dhe përfaqësues. Problemet dhe ngërçet kanë lindur lidhur me formimin e ekzekutivit. Kjo sepse procesi i konstituimit është solemn dhe shpreh dinjitetin e deputetit dhe të organit legjislativ dhe përfaqësues. Kur partia me më shumë deputetë i prin procesit politik dhe kërkon koalicion, atëherë, nëse nuk mund ta formojë vetë ekzekutivin, duhet të ndërtojë aleanca”, ka thënë Hasani.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri të votohet në mënyrë të fshehtë. Por, partitë e tjera kanë refuzuar të miratojnë ngritjen e një komisioni të tillë. Votimin e fshehtë e kanë konsideruar si shkelje ligjore. Madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar çështjen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Hasani, si ish-kreu i institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë në Kosovë, ka thënë se Kushtetuesja nuk duhet ta lejojë votimin e fshehtë në këto momente.
“Jo. Asnjëherë. Do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, kjo e fundit si akti i vetëm nënligjor që normohet me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se një aktgjykim i vitit 2014, kohë kur ai ka qenë në krye të Gjykatës Kushtetuese, ka elaboruar deri në detaje mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Ai është shprehur se nuk mund të ketë asnjë ndryshim në rendin e ditës. Për Hasanin, ajo që po bën Kurti është “politikë tipike bizantine”.
“Kryetari në shkuarje i Kuvendit, në marrëveshje me partitë parlamentare të legjislaturës që duhet konstituuar, caktojnë rendin e ditës dhe skenarin për konstituim, që nis me certifikimin e mandateve dhe përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Mbledhja konstituive drejtohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri. Nuk ka debat. Nuk mund të ketë asnjë ndryshim në skenar. Për pasojë, as ndryshim të rendit të ditës. Kjo procedurë është përcaktuar më 8 prill, është e pastër si loti dhe është parashikuar me dokumentet e sipërcekura. E tillë është në secilin sistem kushtetues evropian – skenar i lehtë ku demonstrohet dinjitet dhe krenari për shkak të konstituimit të organit legjislativ e përfaqësues nacional. Ajo që po bën dhe insiston Kurti është politikë tipike bizantine, me qëllim të shkaktimit të hutisë dhe kaosit, që për synim final ka nënshtrimin e kundërshtarëve politikë. Vështirë të realizohet, sepse kjo qasje e Kurtit ka prekur dhe prek dinjitetin njerëzor, krenarinë e deputetit dhe imazhin e organit legjislativ dhe përfaqësues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hasani.
Më tutje, ai është shprehur se pasojat për vendin janë të mëdha pas këtij ngërçi duke nisur nga fakti që nuk mund të miratohen ligje apo të përcaktohen politika të ndryshme shoqërore, ekonomike-financiare dhe ato të jashtme. Moskonstituimi i Kuvendit, sipas Hasanit, tregon paaftësinë e Kosovës për të mbajtur një shtet sovran dhe të pavarur që është ndërtuar me shumë mund.
“Pasojat janë të mëdha. Në radhë të parë, Kuvendi nuk mund të miratojë ligje dhe të përcaktojë politika shoqërore, ekonomiko-financiare dhe në sferën e politikës së jashtme. Vendi nuk ka një mekanizëm qendror legjitim për të dalë në arenën ndërkombëtare me kompetencë dhe legjitimitet të plotë. Moshkonstituimi i Kuvendit e lë vendin pa institucionin tjetër vital që merr përgjegjësi ndaj botës – qeverinë. Pastaj vijnë çështjet buxhetore dhe çdo fushë tjetër. Moskonstituimi i Kuvendit tregon gjithashtu paaftësinë e Kosovës për të mbajtur një shtet sovran dhe të pavarur, që është ndërtuar me shumë mund, gjak dhe sakrificë të krejt brezave. Shkurt: pa konstituim të Kuvendit, vendi mbetet si njeriu pa gjymtyrë – një anomali e madhe dhe e pafalshme, që historia do t’ia atribuojë ekskluzivisht z. Kurti. Asnjëra nga partitë e tjera, e as të gjitha së bashku, nuk kanë as kapacitetin, as legjitimitetin, e as përgjegjësinë primare për konstituimin e Kuvendit. Kjo i takon çdoherë partisë që ka më shumë deputetë. Kaq e thjeshtë është kjo!”, ka thënë ai.
Sa i përket pyetjes nëse ka një afat ligjor në Kushtetutë brenda së cilës Kuvendi duhet të konstituohet pas zgjedhjeve, Hasani ka thënë se nuk ka një të tillë.
Duke cekur sërish aktgjykimin e vitit 2014, ai ka thënë se çështja ishte peshuar më shumë kujdes dhe se “nuk do të ishte kushtetuese që Gjykata Kushtetuese të caktojë një afat për konstituimin e një organi që përbën hallkën e parë dhe më të rëndësishme të manifestimit të sovranitetit të popullit dhe të përfaqësimit të vullnetit politik kombëtar”.
“Përveç kësaj, ideja udhërrëfyese ka qenë dhe mbetet që konstituimi i Kuvendit është një akt formal, solemn dhe i vetëkuptueshëm, i cili nuk kërkon ndërlikime procedurale dhe as vonesa politike. Këtë hap themelor duhet ta ndërmarrë partia me më shumë deputetë, si bartëse e legjitimitetit politik fillestar, duke dhënë shembull të përgjegjësisë institucionale dhe respektit për rregullin kushtetues”, ka thënë Hasani.