Hasani: Votimi i LV-së për presidentin ishte puç kushtetues, Albulena Haxhiu ushtroi ‘funksione policore’ ndaj deputetëve
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, ka thënë se përpjekja e mbrëmshme e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit pa numrat e nevojshëm, ishte tentim për puç kushtetues.
“Ajo e mbrëmshmit ishte qartë tentim për puç kushtetues, për përmbysjen e rendit kushtetues”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se presioni që ka bërë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu me thirrjet e saj se deputetët e kanë detyrim të shkojnë në sallë për zgjedhjen epPresidentit, duke cituar pjesë aktgjykimesh ishte ushtrim i një funksioni policor.
“Ato elaborime në arsyetim të Gjykatës që ajo i thotë, ato nuk kanë pasë asnjëherë dhe nuk mund të kenë për qëllim abuzim dhe terrorizimin e deputetëve: me iu thënë çdo pesë minuta. Këto quhen funksione policore, të cilat s’mund t’i ushtrojë kryetarja e Kuvendit e aq më tepër që ka edhe funksionin e shefit e shtetit. Kjo është tërësisht e papranueshme”, ka thënë Hasani mbrëmë në “ATV”.
Ai ka thënë se një aktgjykim i Kushtetueses herën e fundit e ka bërë të qartë që s’mund të detyrohen deputetët që të rrinë në sallë apo të votojnë në drejtim të caktuar.
“Presidenti është organi legjitimues, ai pushtet s’është. Ai s’është pushtet, por i ka çelësat e të gjitha pushteteve, prandaj ai është balancuesi kryesor”, ka thënë Hasani.



