Hashim Thaçi dhe bashkëveprimtarët e tij po i mungojnë Kosovës

31 dhjetor 2021 | 18:52

Ish-këshilltarët e Presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla dhe Adil Behramaj, kanë vizituar në Burojë plakun Haxhi Thaçi.

Njoftimin për këtë vizitë në llogarinë e vet në “Facebook” e ka bërë Ismail Syla.

Postimi i plotë i Sylës:

Në odën e Haxhi Sinan Thaçit, në Burojë, në ditën e fundit të vitit 2021.

Ky burrë Drenice mbi shpatullat e tij duroi barrët e rënda jetësore, por ngriti një familje tipike shqiptare me traditat më të mira të bujarisë, besnikërisë dhe të frymës atdhetare. Babai i tij, në foton lart, Sinan Thaçi ishte nip i familjes emblematike të nacionalistit të njohur Ramë Gjurgjeviku, anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918).

Haxhi Sinan Thaçi sonte shënon natën më të gjatë të vitit pa praninë e birit të tij, Hashim Thaçi, në tryezën e përbashkët familjare. Edhe këtë barrë baci Haxhi do ta bartë dhe përballojë me durimin e njeriut të regjur me sprovat e jetës. Ai thotë se ndien mall por jo mërzi për birin e tij, për Presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëveprimtarët e tij që mbahen në Hagë.

Haxhi Sinan Thaçi në moshën më të thellë bart mallin e të birit që padrejtësisht mbahet prapa grilave, njëzet e dy vjet pas çlirimit të Kosovës, proces në të cilin Hashim Thaçi luajti rol historik për të arriturën më të madhe të shqiptarëve në mbarim të shekulli XX.

Ndonëse mosha e thyer në njërën anë dhe situata me pandemi nga ana tjetër ia pamundësojnë vizitën në Holandën e largët, ai si një burë i Shqiptarisë së Përjetshme me krenari pret në odën e tij mysafirë e miq të shumtë me bardhësinë e zemrës ashtu si ngjyra e plisit mbi kokë.

Epo kush më shumë se ky burrë, ky prind e ky zot shtëpie meriton që sonte viti i ri  2022 t’i urohet përzemërsisht me urimin që biri i tij dhe luftëtarët tjerë t’u kthen sa më shpejt familjeve të tyre, t’u kthehen përgjegjësive të tyre shtetëtore, t’i kthehen Kosovës, e cila katërcipërisht po e ndien mungesën e tyre.

Haxhi Sinan Thaçi, gëzuar viti 2022!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë,…