Hashim Thaçi, në vend se të përfundonte fakultetin në Zürich, zgjodhi mbrojtjen e atdheut
Në vjeshtën e vitit 1997, i dënuar në mungesë me 10 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në një proces të udhëhequr nga prokurorja serbe Danica Marinkoviq, Hashim Thaçi ndodhej në Perëndim.
Mes Parisit dhe Zürich-ut, ai mund të kishte zgjedhur një jetë të qetë, larg rrezikut dhe ndjekjes. Mund të kishte përfunduar studimet, të ndërtonte një karrierë personale dhe të qëndronte larg zhvillimeve dramatike që po përshkallëzoheshin në Kosovë. Por në vend të rehatisë dhe sigurisë, ai zgjodhi rrugën e angazhimit për çështjen kombëtare.
Vendimi për t’u rikthyer nuk ishte i lehtë. Ishte një kohë pasigurie, përndjekjesh dhe përplasjesh të hapura. Megjithatë, ai u kthye në terrenin e organizimit politik e ushtarak, duke u përfshirë drejtpërdrejt në proceset që po merrnin formë dhe që shumë shpejt do të shndërroheshin në një kapitull të ri të historisë së Kosovës.
Në atë periudhë, shumë veprimtarë shqiptarë në mërgatë po forconin rrjetet e tyre për përkrahjen e rezistencës në Kosovë. Aktivizimi politik dhe organizimi në terren po merrnin përmasa të reja, ndërsa ngjarjet që pasuan do të shënonin një kthesë historike për vendin.

(Foto: Vjeshtë 1997 – duke u kthyer nga Franca në Zvicër)



