Hashim Thaçi sfidon masat absurde të Speciales

02 korrik 2026 | 20:27

Gjithçka ka nisur kur Hashim Thaçi, gjersa po shoqërohej nga një gardian në korridorin e vizitave, kishte trokitur në një dhomë ku po zhvillohej një vizitë e monitoruar nga zyrtarët korrektues.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka sfiduar sërish masat absurde kundër tij të vendosura nga Gjykata Speciale në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Gjithçka ka nisur kur Hashim Thaçi, gjersa po shoqërohej nga një gardian në korridorin e vizitave, kishte trokitur në një dhomë ku po zhvillohej një vizitë e monitoruar nga zyrtarët korrektues. Pasi kishte trokitur, Thaçi ishte futur brenda dhe kishte biseduar me personin që kishte ardhur për vizitë nga jashtë për dikë tjetër nga të akuzuarit. Ndonëse gardiani që po e shoqëronte ia kishte tërhequr vërejtjen, ish-Presidenti nuk e kishte dëgjuar.

“Kur z. Thaçi po shoqërohej në korridorin e vizitave nga një zyrtar i paraburgimit, ai trokiti në derën e një dhome vizitash ku po zhvillohej një vizitë e monitoruar në mënyrë aktive ndërmjet [REDAKTUAR], hapi derën e dhomës dhe u përfshi në bisedë me [REDAKTUAR]; dhe kur zyrtari i paraburgimit e informoi z. Thaçi se duhej të largohej nga korridori, ai nuk iu bind udhëzimeve”, thuhet në raportin e hartuar nga Qendra e Paraburgimit të cilin e ka parë VOX Kosova.

DOKUMENT:

Pavarësisht se takimi që po zhvillohej në kohën kur Thaçi u fut brenda dhomës së vizitave po monitorohej nga zyrtarë korrektues, atij për këtë veprim iu shqiptua vërejtje nga Paneli i Trupit Gjykues.

Edhe në raste të tjera, Thaçi ishte përfshirë në ngritje të zërit ndaj zhvillimeve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ish-Presidenti, në një seancë të 27 marsit 2025, kishte marrë fjalën për të alarmuar për John Devaneyn, një ish-roje të burgut në Qendër të Paraburgimit, që papritmas ishte shfaqur si punëtor i Prokurorisë në Speciale.

Thaçi, në transkriptet e asaj seancë që kishte parë VOX Kosova, kishte thënë se “Devaney kishte ushtruar edhe ofendime fizike e kërcënime”.

“Kjo është një gjykatë e Kosovës. Është themeluar nga Kuvendi i saj për të punuar mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, dhe besoj se kështu do të jetë deri në fund të procesit. Megjithatë, problemet që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve e gjysmë, gjatë kësaj periudhe, dhe meqë e shoh këtë prokuror përballë nesh, dua t’i shpreh shqetësimet e mia. I nderuar gjyqtar, zotëria në fjalë – sot prokuror; dje roje burgu – ka kryer [REDAKTUAR]. Ndërkohë që ne, të akuzuarit në procesin numër 6, nuk përdorim as cigare. Ai personalisht ka kryer, prokurori aktual, [REDAKTUAR] mekanizma brenda kësaj qendre paraburgimi”, thuhej në transkriptën e redaktuar, që e kishte publikuar VOX Kosova.

Prej më shumë se dy vite e gjysmë, Gjykata Speciale ka vendosur masa absurde të qëndrimit të krerëve të UÇK-së në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Atyre u janë limituar në masë të skajshme vizitat e privilegjuara dhe jo të privilegjuara. U përgjohen komunikimet përmes telefonit dhe ato fizike. U përgjohen kompjuterët dhe materialet që printojnë e gjithashtu ish-Presidentit Thaçi i ishte ndaluar edhe takimi me 11 persona nga rreth i tij i ngushtë. Prokuroria madje kishte kërkuar që Gjykata t’ua ndalojë edhe vizitat nga dy vëllezërit e tij.

Sipas një raporti të hartuar nga vetë institucioni i Dhomave të Specializuara, janë mbi 100 kërkesa, të përmbledhura, për lirim nga paraburgimi, që u janë refuzuar krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

DOKUMENT:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend…