Hashim Thaçi!

15 dhjetor 2022 | 14:04

Nga Altin N. Ademi

Ca gjëra që rëndom s’thuhen.

Ta ndjekësh një rrugë cilado qoftë ajo, absolutisht nuk do të thotë ta ndjekësh një njeri. Por ja që rruga që kemi ndjekur në afër 23 vite, na dëfton në pothuajse çdo kilometër të saj një emër njeriu.

Hashim Thaçi nuk është “fantazma që sillet nëpër Evropë” dhe as njeriu mitik e utopik i mbështetësve të tij që në të shohin mishërimin e një “njeriu ideal”. Por asgjë që ka ndodhur në Kosovë nga 1999-ta e deri më sot, nuk mund të zhbëjë një të vërtetë historike, faktin se pothuajse çdo gjë lidhet me këtë emër.

Ky shkrim nuk është i paramenduar, as i planifikuar, as në funksion të Hashimit dhe askujt që asociohet me të. Është përpjekje për ta shtruar një perspektivë kundër utopike rreth një njeriu konkret. Është nxitje nga një rastësi rrethanore, për faktin se dje, një diplomat evropian në Bruksel i quajtur Borrell, u përpoq ta portretizojë Hashimin, si “një fantazmë të cilën e kanë ngujuar në Evropë”.Për korrektësi, çështjet e drejtësisë janë çështje të drejtësisë. Por edhe çështjet e historisë, janë çështje të historisë. Këtu nuk flitet as për drejtësinë, as për padrejtësinë rreth Hashimit.

Flitet për një segment të historisë së këtij emri. Natyrisht se gjuha shprehë vetëdije dhe i vetëdijshëm rreth vetëdijes time solide, aspak partizane, tërësisht i çliruar nga nevoja për ndonjë asocim çfarëdo qoftë me të, e ndjej një nevojë për të manifestuar këtu disa të vërteta, të cilat i kemi parë kolektivisht në “Epokën e Hashimit”.Në 23 vitet e pasluftës, Kosova ka ndryshuar më shumë dhe më shpejt se çdo kush tjetër përreth e më gjerë. Kryesisht për të mirë. Epoka e ngritjes së shoqërisë dhe shtetit të Kosovës është më e shpejtë në hapa sesa shumë të tilla krahasuese në historinë moderne.

Për 23 vite, nga një shoqëri e robëruar, e ndarë në linja të ngurta etnike, me një pakicë sunduese dhe një shumicë të sunduar – në një shoqëri të lirë, demokratike e multi-etnike, e unifikuar në linja shtetërore e kushtetuese. Nga një shoqëri agrare (për shumicën), e kufizuar në edukim dhe zhvillim, e prapambetur ekonomikisht dhe e harruar në kohë – në një shoqëri post industriale, me shkollim, në progres e sipër dhe në qendër të kohës së vet.

Nga një nocion gjeografik periferik – në një nocion politik shtetëror e sovran. Nga një shoqëri që synonte demokracinë, si sinonim i lirisë nga Jugosllavia – në një shoqëri bashkëkohore që lirinë e vet e materializon brenda normave të demokracisë.

Për ata që e kuptojnë drejtë këtë përmbysje për së mbari dhe që e dinë se çfarë do të thotë e njëjta, kjo nuk është absolutisht pak, për një popull të vogël e deri vonë – të papërfillshëm.

Kjo përmbysje ka pasur karakter të shumëfishtë. Në rrafshin social, dy dekadat tona në liri, mund të mos i jenë dhe absolutisht që nuk i janë përgjigjur gjithsecilit njëjtë, barabartë dhe njëkohësisht, por gjithsesi se i janë përgjigjur gjithsecilit.

Në rrafshin ekonomik, standardi i jetesës është shumëfishuar krahasuar me kohën para dy dekadave, megjithëse një pjesë shumë e madhe e shoqërisë edhe sot kërkon korridore për të shpëtuar nga varfëria e për ta mundur atë përfundimisht.

Në rrafshin politik, nga ideale politike quasi unitare e të glorifikuara, kemi kaluar në pluralizëm politik, nëpër të cilin flirtojnë nuancat ideologjike e partiake që e kanë për synim pushtetin, e përmes tij, shtetin.Pra edhe sot, nuk jemi të njëjtë e të barabartë në shumë drejtime, por pa asnjë dyshim se kapërcimi i madh që ka ndodhur, ka përfshirë në së paku një mënyrë, gjithsecilin prej nesh, duke na vënë së paku në një drejtim, më mirë se ç’kemi qenë më parë.

Përmes këtyre hapave që kemi bërë, përveç që kemi ndryshuar në rrafshin e brendshëm, kemi filluar të ndërtojmë dhe shpalosim botën të cilës i takojmë edhe në rrafshin e jashtëm. Brenda kësaj bote, ne jemi së bashku me aleatët tanë perëndimor, të cilët janë një kapitull kapital i sferës sonë politike dhe mëkëmbjes sonë kombëtare.

Lidhja jonë me aleatët ka një karakter unik. Ka pasur gjithmonë një asimetri të plotë brenda kësaj lidhje. Konkretisht, ne s’kemi dhënë pothuajse asgjë për aleatët, por kemi dhënë aq shumë për historinë, pikërisht asaj historie që aleatëve ua garanton jetëgjatësinë e parimeve mbi të cilat e kanë ndërtuar përkatësinë e tyre. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se pa ta, nuk do të mund të bënim këtë kapërcim të madh e të drejtë historik dhe as që do të mund të materializonim agjendën politike shtetërore.

Se sa shumë iu kemi besuar aleatëve në 23 vitet e fundit është e matur me fakte. E nisëm me Rambujenë. Aty hodhëm firmën në një marrëveshje që më shumë cungonte se sa mundësonte. Por ata na e kërkuan dhe ne e bëmë. E vazhduam duke dorëzuar armët e lirisë në kazerma të KFOR-it. Iu besuam kështu edhe vetë sigurinë tonë duke e bartur nga duart tona, në duart e tyre.

Ju besuam edhe kur na thanë se Kosova nuk është “ëndrra e vilajeteve të bashkuara në një shtet” por një shtet i ri që s’ka histori dhe duhet të shohë në historinë e re të së ardhmes. Kështu hoqëm dorë nga “Kosova e vetëdijes sonë”, për t’iu rrokur Kosovës së re, të orkestruar nga aleatët. E braktisëm “mitin” tonë të sakrificës, për t’iu rrokur mitit të emancipimit. Në vend të kombit-shtet, e bëmë shtetin shumëkombësh. Iu besuam në negociatat e Vjenës, për standardet para statusit, për decentralizimin dhe për vendet e rezervuara. Aq shumë ju besuam, sa fatin që ia kishim përcaktuar vetës me pushkë, ia lamë në dorë që ta vendoste për ne, një presidenti pacifist e i ftohtë si vendi prej nga vinte.

Aleatët dhe Perëndimi, janë për ne ata që e bënë të mundur lirinë tonë dhe shtetin tonë. Janë adresa jonë e mohuar dhe e bllokuar nga dhuna e të tjerëve mbi ne. Janë adresa drejt të cilës jemi nisur qe një kohë të gjatë, e sot jemi më afër së kurrë për t’i arritur, për të mos thënë se i kemi arritur tashmë plotësisht.

Mund të flitet, debatohet e interpretohet pafundësisht, se a kanë qenë këto zhvillime ato që na duheshin dhe mund të kontestohet nga çdo perspektivë përmbajtja e tyre, por do të duhej shkathtësi metafizike për të thënë e argumentuar se ka një të vërtetë të dyfishtë e të kundërt nga çfarë është thënë më lartë si shpërfaqje e një realiteti konkret. E duhet të jesh mjaft surrogat si Borrelli, për të menduar se mund të gjesh shpjegim për të gjithë këta rreshta, pa e kuptuar se pothuajse çdo gjë është e lidhur me një emër, ndonëse ai nuk u përmend askund. Hashim Thaçin.

Historia na mëson se për të bërë kapërcime të tilla, gjërat kanë kosto, e kostoja më e lartë është e atyre gjërave që ndryshojnë historinë. Hashim Thaçi si person, është njeri fort i ç’mitizuar.

Ai me gjasë është thjeshtë njeriu i zakonshëm i brezit të vet, që iu kishte rrokur një ëndrre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo ëndërr, doli të jetë më e fuqishme, sesa realiteti i hartës së Jugosllavisë që asokohe shtrihej në 6 vende aktuale të Ballkanit.

Karvanit të tij dhe shokëve të tij, iu bashkëngjitën mijëra të tjerë, megjithëse ai nuk ishte as profet dhe as nuk shpërblente me asgjë, përveç kalvarit të vuajtjes e mundimit kolektiv. Por Hashim Thaçi kishte zgjedhur ëndrrën e duhur.

Ajo çfarë kishim besuar si popull në të kaluarën gjatë rezistencës paqësore të prirë nga Ibrahim Rugova, pra vetë narracioni i lirisë e demokracisë që na përfytyroheshin si flamuj amerikanë, për të cilën Rugova ishte instrumental, e që dikur ishte një aspiratë, me luftën e UÇK-së, filluan të bëheshin pritje reale, të matshme, të prekshme, e të përditshme. UÇK-ja, ishte bërë një përjetim kolektiv seç herë e më i madh, sepse përmes përpjekjes së saj, ne po ofroheshim me Perëndimin dhe veçmas me Amerikën.

Nuk është aspak fshehtësi se ka dy pole qendrore që e bëjnë UÇK-në një ngjarje, jo vetëm për politikën por edhe për filozofinë politike të lirisë popullore. Poli i parë i saj lidhet me shprehjen e vetëdijes kolektive. Nuk do të kishte pasur sukses përballë Jugosllavisë asnjë formacion politik radikal e revolucionar, nëse kauza në të cilën ai thirrej, s’do të kishte qenë një shprehje e vetëdijes popullore si e drejtë, si nevojë dhe si domosdoshmëri. Ky është dimensioni i parë dhe më i rëndësishëm i UÇK-së.

Ajo në fillim, dukej larg nga misioni, por misioni i saj nuk mund të kthehej mbrapa në momentin që niste. Elementi substancial që e bëri UÇK-në një projekt të suksesshëm kombëtar, ishte njohja e thellë e kulturës së aspiratave që ajo përfaqësonte, në qendër të së cilës ishte çlirimi nga tirania. Pra në të, ishte bërë bashkë vetëdija e të gjallit që e do lirinë si dhe të sakrifikuarit që e do drejtësinë.

Poli i dytë i saj ishte misionar. Këtu misioni për çlirim deshifrohej më gjerësisht. Nuk ka nisur lufta e UÇK-së, si një postulat ideologjik i të majtës kundër të djathtës, as liberalizmit kundër socializmit dhe as nacionalizmit si superioritet ndaj elementeve jo nacionale. Ka nisur si domosdoshmëri për çlirim, në mënyrë që të arrihet hapi historik me botën e lirë e të qytetëruar.

Në këtë mision, sërish Thaçi ishte instrumental. Nuk ishte pjesë e një shteti a strukture të konsoliduar. Nuk kishte armatë të organizuar dhe as agjendë për një të tillë. Hashim Thaçi ishte kryesisht dhe esencialisht, produkt i fatit dhe orës historike. Doktrina e UÇK-së, nuk ishte doktrinë militare e ekspansionit, as konfrontimit ideologjik. Ishte thjeshtë një përgjigjes institucionale ndaj dhunës, për ta shtyrë përpara me luftë, kauzën e çlirimit përfundimtar nga dhuna. Baza e saj nuk ishte juridike. Ishte parimore. Ishte politike dhe politikisht e drejtuar drejt lirisë dhe demokracisë që po rrezatonin nëpër botë në fillim fundin e shekullit 20.

Kjo kauzë që lidhej me emrin e tij, ishte e jashtëligjshme me ligjet e Jugosllavisë por krejtësisht legjitime me të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Pra, UÇK-ja ishte nisur me mision drejt Perëndimit, si adresë prej ku liria jonë do të merrte formë, pasi që përmbajtja e saj ishte një me të. Në qendër të këtij relacioni, Hashim Thaçi pati një rol vendimtar. Këtë rol, ne nuk e kemi kuptuar deri vonë. Deri vonë nuk dinim as për Hashim Thaçin. Për të, mësuam kur lufta ishte kudo përreth nesh, e kur shpresat ishin varur në Perëndimin më shumë se kurrë më parë. Pikërisht këtu, ne mësuam se Perëndimi po vinte dhe këtë po na e dëftonte Hashim Thaçi, njeriu që kishte qenë në mesin tonë si një i panjohur, e që doli të bëhej përgjegjës për ardhjen e NATO-s në Kosovë.

Bashkë me ardhjen e Perëndimit në qershor të 99-tës, kemi parë edhe ardhjen e Hashim Thaçit. Ishte pikërisht Hashim Thaçi, ai që në Rambuje mori përsipër t’ua kumtojë aleatëve besimin që kishim në ta. Ua kumtoi këtë besim edhe me çmilitarizimin e UÇK-së. Edhe në Vjenë. Edhe në Bruksel, edhe në Uashington.  Pra, për 23 vite me radhë, ishte pikërisht Hashim Thaçi, ai që e kultivoi dhe farkëtoi si një lloj ndërmjetësuesi, besimin dhe marrëdhënien tonë në Perëndimin dhe angazhimin e Perëndimit në kauzën tonë.

Ndryshimet që ndodhën në Kosovë pas luftës ishin mjaft të mëdha. Në një mënyrë, Hashim Thaçi ishte garanci për këto ndryshime. Pas luftës, Thaçi u fut në politikë, si një trajektore krejt e natyrshme mbas një përvoje të tillë historike. Megjithëse nuk i kishte fituar zgjedhjet e para elektorale për pushtet, prej tij kërkohej garancia që agjenda e Kosovës të ecte përpara sipas kërkesave të aleatëve. Si opozitar, i hapi rrugë Kosovës në Vjenë. Si qeveritar, i hapi rrugë pavarësisë së Kosovës dhe negociatave me Serbinë. Si figurë që tashmë kishte mbrapa vetës një histori të begatë politike personale të luftës e të paqes, ishte garanci për të themeluar edhe Gjykatën Speciale, subjekt i të cilës është bërë sot, e cila të ngjason me një “akt martirizimi” për të mirën e vendit. Si lider shtetëror e politik, Thaçi u bë kështu emri me të cilin lidhet ndryshimi i Kosovës për 23 vite me radhë.

Sot, Hashim Thaçi është në Hagë. Përderisa ai dhe shokët e tij të një kauzë po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, bashkë me të, disi po përballemi edhe pjesa dërrmuese e shoqërisë tonë, për të mos thënë të gjithë pa përjashtim. Kësaj përballje, i shmangemi individualisht sepse s’kemi të bëjmë asgjë me të. Por nuk mund t’i shmangemi kolektivisht sepse e vërteta e tij, është e njëtrajtshme me të vërtetën e rrugëtimit tonë.

Kjo e vërtetë është mjaft e qartë. Populli i Kosovës ka qenë viktimë e një dhunë në përmasa gjenocidi dhe iu ka kundërvënë të njëjtës. Si pasojë e depërtimit masiv dhe masakrave ndaj popullsisë civile, është legjitimuar ndërhyrja e NATO-s, që i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Faktori që u bë shkak për këtë intervenim, ishte UÇK-ja dhe Hashim Thaçi ishte një ndër figurat drejtuese të saj.

Natyrisht se janë bërë 23 vite nga koha e çlirimit dhe për 23 vite, Hashim Thaçi dhe UÇK-ja s’kanë qenë të njëjtat që ishin në vitin 1998-1999. Për shumë dimensione të politikë-bërjes ka shumë çfarë të flitet e analizohet. Por përveç tyre, nuk jemi të njëjtë asnjëri prej nesh. Të gjithë kemi ndryshuar. Ishte pikërisht ndryshimi, ai që zhvendosi reliktin në sekularitet. Ishte pikërisht ky ndryshim që i bëri gjërat e ëndërruara, thellësisht tokësore e të prekshme. Ishte ky ndryshim që Hashim Thaçin e zhveshi nga aura e një ëndërrimtari, për ta rikthyer në mesin tonë si njeriun e zakonshëm të Kosovës, që iu ishte rrokur politikës partiake e shtet formuese me të gjitha finesat e qëlluara e të paqëlluara. Dhe pa asnjë dyshim se vetë ky debat themelor që po shtrohet, është rezultat i ndryshimit tonë evident.

Hashim Thaçi ishte “pengu” i ndryshimit tonë, si çlirimtar dhe si burrështetas. Pa këto dy cilësi, ai nuk do ishte ky që është dhe në masë të madhe, as ne s’do ishim këta që jemi. Pa asnjë dyshim se as historia jonë, s’do kishte qenë kjo që është sot.

Prandaj, as robëria fizike e Hashim Thaçit, as shpronësimi politik i tij nga realiteti i përditshëm dhe as epilogu i drejtësisë, nuk mund ta zhbëjnë epokën që kemi shënuar si shtet dhe komb e që lidhet me emrin e tij.

Për Borrellin, ai është një ish president i arrestuar i një vendi. Për drejtësinë, ai është një i dyshuar deri në epilogun final. Por për historinë, ai nuk është fantazmë e mbajtur në burgjet e Evropës. Për historinë, ai është “një epokë” që nuk mund të rishkruhet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri i…