Hauge drejt Premier League, Arsenal në pole position
Pas një periudhe jo të suksesshme te AC Milan dhe një aventure zhgënjyese me Eintracht Frankfurt, Jens Petter Hauge duket gati për një rikthim të madh në skenën elitare të futbollit europian.
Sipas raportimit të “Sports Boom”, sulmuesi anësor norvegjez ka tërhequr vëmendjen e trajnerit të Arsenal, Mikel Arteta, i cili është bindur nga performancat e tij mbresëlënëse këtë sezon në UEFA Champions League. Hauge ishte një nga protagonistët kryesorë në ecurinë e Bodo/Glimt deri në fazën e 1/16-ve.
Burime pranë klubit londinez bëjnë të ditur se “Topçinjtë” pritet të hidhen në sulm për transferimin e 26-vjeçarit gjatë merkatos së verës.
Megjithatë, operacioni nuk do të jetë i lehtë, pasi Bodo/Glimt ka vendosur një çmim prej 45 milionë eurosh për kartonin e tij, duke qenë se lojtari është nën kontratë deri në vitin 2028.
Përveç Arsenalit, interes konkret për Hauge kanë shfaqur edhe disa klube të tjera të Premier League, si Leeds United, Tottenham Hotspur dhe Manchester United.
Megjithatë, aktualisht londinezët konsiderohen favoritë, pasi profili i lojtarit përshtatet në mënyrë ideale me filozofinë dhe sistemin e lojës së Artetës.



