Haxhiu: Aktakuza ndaj Hajdarit është e motivuar politikisht
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me menaxhimin e rezervave shtetërore.
Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.
Postimi i plotë në Facebook:
Kaherë kemi theksuar se hetimet ndaj Ministres Hajdari janë të ndikuara, dhe ngritja e aktakuzës ndaj saj e vërteton këtë. Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik.
Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme.
Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara, të cilat kishin lënë vendin pa rezerva.
Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj.
Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike.



