Haxhiu ankohet në PZAP: KQZ ka numëruar mbi 23 mijë vota me postë jashtë afatit ligjor
Bekim Haxhiu, kandidati për deputet i AAK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje serioze të ligjit zgjedhor.
Sipas Haxhiut, ligji parasheh qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00.
“Sot kam dorëzuar ankesë zyrtare në PZAP për një shkelje serioze që rrezikon integritetin e zgjedhjeve. Ligji është i qartë. Fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00. Megjithatë, KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota të ardhura pas këtij afati ligjor. Kjo nuk është çështje teknike. Është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit. Asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë ligjin. Afatet zgjedhore nuk janë rekomandime, por garanci për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit. Kur numërohen vota jashtë afatit, procesi rihapet në mënyrë arbitrare dhe rezultati deformohet”, ka theksuar Haxhiu.
“Kjo paligjshmëri ka prodhuar pasoja konkrete. Ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe në renditjen e kandidatëve. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, thotë ai.



