
Haxhiu: Dy komuna shkojnë pa balotazh, Mitrovica do t’i befasojë të gjithë
Gazetari Baton Haxhiu, ka paralajmëruar në një lidhje direkte në televizionin “T7” befasi në disa prej komunave, ndërsa po vijon votimi për zgjedhjet e sotme lokale.
Ai ka thënë se në Prishtinë po bëhet “betejë e fortë”.
“Prishtina… e jashtëzakonshme si garë, e jashtëzakonshme si betejë në çdo gjysmë ore të votimit dhe rezultati nuk dihet deri në momentin e fundit”, ka thënë ai.
Haxhiu ka thënë se “njëra prej komunave që do t’i befasojë të gjithë është Mitrovica e Jugut”.
Ai ka thënë se “dy komuna shkojnë pa balotazh”, dhe ka shtuar se kjo “tashmë dihet, sepse ka një diferencë të mjaftueshme”, nga rezultatet aktuale të “Exit-pollit”, i cili publikohet sonte në 19:00 në “Pressing” në “T7”.
“Tri të tjera janë afër t’i ikin balotazhit. Njëra është me një përqindje prej 1.4 – 1.5 për qind dhe është shumë afër që ta ruajë këtë rezultat dhe të shkojë pa balotazh”.
“Kurse te tri të tjera… rezultati te njëra është 49.2%, te tjetra është 48.8. Pastaj te tjetra është 47.8. Këto tri komuna, deri në momentin e fundit nuk e dimë a do të ketë balotazh apo jo. D.m.th, dy dihen sigurt, e treta është 90 me 10%, kurse tri tjera, të cilat janë komuna të mëdha, mund të shkojnë gjithashtu pa balotazh”, ka thënë Haxhiu.