Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku i masës nga Kushtetuesja

25 mars 2026 | 13:37

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka  bërë me dije se Kuvendi ka pranuar agjendën legjislative të qeverisë që përmban rreth 174 projektligje, por se nuk po mund ta trajtojnë për shkak të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ka thënë se roli i komisioneve parlamentare është kyç për shqyrtimin dhe trajtimin efektiv të këtyre ligjeve.

“Ne kemi pranuar agjendën legjislative nga qeveria. Nuk kemi arritur që ta trajtojmë atë për shkak të vendimit për masën e përkohshme, pra që duhet të presim deri më 31 mars. Por e kemi agjendën legjislative që përmban diku 174 projektligje. Qeveria ambicioze, dhe ligjet janë shumë të rëndësishme. Por ajo çka është e rëndësishme është që kur ato procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të vijë në shprehje pastaj roli i komisioneve parlamentare. Sepse, më besoni edhe për shkak të përvojës praktike, puna më e madhe bëhet në komisionet parlamentare. Diskutimet në seancë janë diçka tjetër, por ajo që nuk shihet pra, ajo që është shumë përmbajtësore, është puna në komisionet parlamentare”.

“Prandaj edhe si kryetare e Kuvendit, do të angazhohem maksimalisht që këto trajtime të projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Edhe duke e pasur parasysh edhe aspektin gjinor, sepse nuk kemi nevojë që të bëjmë ligje të cilat nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por që shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, duhet që në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme, që mund të kenë direkt apo indirekt përgjegjësi në raport me një ligj. Por po ashtu edhe secili grup që, si me thënë, i dedikohet një rregullim ligjor i tillë. Prandaj jam shumë e hapur që të fuqizoj rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deri tani nuk shoh që kemi pasur mungesë të vullnetit në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djali i Kristiano Ronaldos, Kristiano Zhunior është duke u stërvitur…