Haxhiu i shkon në zyrë Jasharit, diskutojnë për procesin e tranzicionit të FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Fillimisht, Jashari i ka uruar mirëseardhje Haxhiut, ku më pas e ka informuar në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, të arriturat e saj dhe rrugën përpara.
Gjithashtu ata kanë diskutuar për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGjT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës.
“Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale”, ka njoftuar FSK-ja.
Sipas këtij njoftimi, Haxhiu e ka përgëzuar Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse.
Në fund të takimit palët janë pajtuar për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.



