Haxhiu, Ismailit: Dëshmojeni se mendoni që Qeveria Hoti është kriminale

06 gusht 2020 | 20:36

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ia ka kthyer përgjigjen sekretarit të PDK-së, Uran Ismailit, në pyetjen se ku mbetën vijat e kuqe të VV-së për PDK-në.

Haxhiu tha se vija e kuqe qëndron për PDK-në derisa kjo parti, sipas saj, mban vulën e keqqeverisjes dhe keqpërdorimit, por se tani PDK e ka momentin të dëshmojë se është parti opozitare dhe kundërshton punën e Qeverisë Hoti.

“Në Kuvend kemi dy parti që janë opozitare: Vetëvendosje si subjekti më i madh dhe në anën tjetër kemi PDK-në. Për ne është e rëndësishme ta rrëzojmë Qeverinë Hoti. Edhe në të kaluarën Qeveria Mustafa është rrëzuar me votat e PDK-së, VV-së e partive tjera dhe kjo s’është hera e parë”.

“Por, nëse PDK është subjekt opozitar dhe mendon që Hoti po keqqeveris duhet ta dëshmojnë. Ne mbajmë qëndrimin tonë për vija të kuqe ndaj PDK-së, por tani ftoj PDK-në që nëse duan ta dëshmojnë se janë kundër kësaj qeverie t’i japin nënshkrimet, sepse veprimet e tyre nuk e tregojnë se janë kundër pas ka pasë pazare të ndryshme”.

“Nëse Ismaili konsideron se kjo është qeveri kriminale dhe ministrin Zemaj e ka quajtur hajn për çmimet e barnave le të urdhërojë. E ka kohën dhe mundësinë”.

“Pas mocionit shkohet në zgjedhje dhe qytetarët vendosin se kush është subjekti i parë. Ta presim dhe shohim sa përqindje merr Vetëvendosje. Por, është vendim i organeve të Vetëvendosjes kanë vendosur vija të kuqe për PDK-në përderisa e mbajnë vulën për keqqeverisje. Ata nëse duan ta rrëzojnë këtë Qeveri kjo mund të ndodhë sot. Mjafton t’i dorëzojnë nënshkrimet”.

Haxhiu tha se Qeveria Kurti ka arritur ta dëshmojë se edhe në Kosovë mund të qeveriset me dije, nder dhe përkushtim. Prandaj, nënkryetarja e VV-së mendon se ajo duhet të kthehet.

Ajo gjithashtu tha se shkresa për mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit i është dërguar të gjitha grupeve parlamentare, përveç Listës Serbe, për të cilën tha se kurrë nuk do të kërkojnë të bashkëpunojnë për iniciativa të tilla.

Ndërkaq, njoftoi se ende s’ka pasë ndonjë sinjal nga AAK apo Nisma që janë në koalicion me LDK-në, për të prishur Qeverinë ku janë edhe vetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani ka prezantuar qendërmbrojtësin Bajram Jashanica, që së fundmi ka…