Haxhiu: Kërkesa për shkarkimin e Llabanit ishte cilësuar si ndërhyrje në pavarësinë e Kushtetueses

06 gusht 2025 | 12:40
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në kohën kur Radomir Llaban ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese më 2018, partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga gjykata nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.

Por, një kërkesë të tillë, sipas Haxhiut, kryetarja e atëhershme e Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, ishte cilësuar si “ndërhyrje në pavarësinë” e Gjykatës Kushtetuese.

Ky reagim i Haxhiut vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses në korrik, përmes së cilës ka kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Presidentja Osmani ka theksuar se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj ishte gjyqtar raportues për këtë lëndë ishte caktuar gjyqtari Llaban.

Sipas Osmanit, institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit.

Osmani ka thënë se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Shefja e shtetit nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke argumentuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollistja nga Kosova, Fortesa Berisha ka bërë hapin e madh…